Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit (DMSH), në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka filluar ushtrimin fushor “Reagimi i Përbashkët 2016”, i cili do të zgjas deri më 30 qershor. Kjo Drejtori, si pjesë e ushtrimit "Reagimi i Përbashkët 2016", është duke iu përshtatur skenarit të ushtrimit të hartuar nga FSK dhe Planit Kontingjent, ka thënë Ensar Kadriu, drejtor komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Kapacitetet e Drejtorisë, ku përfshihen zyrtaret dhe stafi ndihmës, i cili sipas “Planit kontingjent për përballimin e mundshëm të refugjatëve” dhe me “Planin operativ emergjent” janë pjesë Qendrës Operative Emergjente, e cila menaxhon situatën.
Të angazhuar janë edhe Policia e Kosoves, Kryqi Kuq, SHZSH, Drejtoria e Shëndetësisë – Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare”, ka deklaruar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu.
Ai ka informuar se Qendra Operative Emergjente edhe sot ka koordinuar operacionet në terren, duke ngritur postkomandën e incidentit në fshatin Pogragjë, e cila ka menaxhuar simulimin me rreth 300 refugjatë, ku është bërë evidentimi, trajtimi ushqimor dhe shëndetësor, si dhe transportimi i tyre në qendrën kryesore të strehimit në palestrën e sporteve në Gjilan.
Gjatë zhvillimit të operacioneve, Qendrën Operative Emergjente e kanë vizituar njësitë monitoruese të KFOR- it amerikan, gjerman dhe turk të shoqëruar nga pjesëtarët e FSK – së. Ushtrimi vazhdon edhe në ditët në vijim sipas planifikimit.