Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM), në takimin e radhës, që e ka drejtuar Arton Hoxha, kryesues, ka miratuar raportin e punës së drejtorisë së linjës për periudhën janar-qershor 2016, të cilin e ka paraqitur drejtori Valon Shefkiu. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM) ka kryer detyrat e saj të planifikuara në të gjithë sektorët. Sektori i Planifikimit ka kryer gjithsej 69 lëndë, 20 prej tyre parcelime, kurse sektori i lejeve ka shqyrtuar 296 kërkesa , ndër to 70 leje ndërtimi. Të hyrat nga lejet e ndërtimit për këtë periudhë kanë qenë 482. 963 euro, kurse të hyrat nga legalizimi i objekteve – 46,808 euro, ose gjithsej 529.771 euro, ka thënë Shefkiu.
Sektori i inspeksionit të ndërtimit, gjatë kësaj periudhe ka kryer 68 inspektime në terren, ka hartuar 55 procesverbale, ka nxjerrë 50 vendime për ndërprerje të punimeve, 8 vendime për rrënim, ka bërë 11 kallëzime penale në gjykatë, ka shqiptuar 14 dënime mandatore si dhe ka kryer aktivitete të tjera nga fusha që mbulon.
Zyra e legalizimit ka pranuar 161 kërkesa në periudhën janar-mars, ka përfunduar 52 kërkesa, 36 të tjera i ka shqyrtuar, kurse të pa shqyrtuar janë 73 kërkesa. Ndërkaq, janë miratuar 49 kërkesa për legalizimin e 17.438 metrave katrorë sipërfaqe, për çka janë arkëtuar 46.808 euro.
Sa i përket të hyrave, Shefkiu ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 520 mijë euro, ose gati dyfish më tepër se vitin e kaluar (283 mijë euro), ndërkaq shepnzimet janë ulur në minimum – 6.738 euro e që janë përgjysmë më pak se vitin e kaluar (13.553 euro).
Shefkiu ka thënë se objektiva dhe prioritete të këtij viti për DUPMM janë shqyrtimi i drejtë dhe efikas i kërkesave të qytetarëve, hartimi i elaboratit të shpronsimeve, hapja e koridoreve të reja – rrugëve lidhëse dhe përmbledhëse dhe hapsirave tjera publike në kuadër të PRRU, caktimi i lokacionit për varrezat e qytetit, përfundimi i projektit të adresave, përcjellja e procesit të zbatimit të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, regjistrimi i objekteve të ndertuara pa leje dhe të tjera.