Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin e Arsimit, Shpend Nuhiun, kanë prit në takim Këshillin Organizativ për kampanjën “Më prano, më mbështet, më përfshij”.
I pari i komunës falënderoi anëtarët e Këshillit Organizativ të kampanjës dyjavore “Më prano, më mbështet, më përfshij”, e mbajtur me rastin e 21 marsit dhe 2 prillit në ndërgjegjjësimin e Ditës Botërore për Sindromën Down dhe Ndërgjegjësimit për Autizmin.
“Komuna jonë vazhdon të mbajë primatin në nivel vendi si kampione në përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. Angazhimi juaj në hartimin e programit, koordinimin e shkollave, si dhe ndërtimi i një atmosfere mbështetëse, tregoi se suksesi arrihet vetëm kur veprojmë bashkë. · Puna juaj me familjet dhe fëmijët me Sindromën Down dhe autizëm sjelli ndërgjegjësim, informacion dhe emocion pozitiv: me çdo aktivitet, të cilin e realizuat për gjatë kampanjës, ju ndihmuat të thyheshin barrierat e heshtjes”, tha Alban Hyseni.
I pari i Komunës së Gjilanit, theksoi se me këtë iniciativë, i kanë frymëzuar, që përfshirja të jetë më shumë se një slogan – të kthehet në veprim dhe traditë të përvitshme.
Ai u shpreh i bindur se kontributi i këshillit do të mbetet model për të gjithë institucionet dhe do të thellojë përpjekjet tona për t’u siguruar të gjithëve mundësi të barabarta në arsim, shëndetësi dhe jetë shoqërore.
“Ju falënderoj nga zemra për përkushtimin, energjinë dhe kreativitetin që sollët në secilin hap të këtij projekti. Së bashku, po ndërtojmë një komunë më të dashur, më të kuptueshme dhe më të barabartë për çdo fëmijë dhe familje”, tha kryetari Hyseni.