Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka njoftuar fillimin e konsultimit publik për dokumentin “Arsyeshmëria profesionale për shpalljen e zonës ‘Guri i Hoxhës me Grykën e Lumit dhe Liqenin e Përlepnicës’ si zonë e mbrojtur e natyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar, konsultimi publik ka nisur më 27 prill 2026 dhe do të zgjasë deri më 28 maj 2026, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës.
Të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara kanë mundësi të japin kontributin e tyre përmes komenteve dhe sugjerimeve, të cilat mund të dërgohen deri më 28 maj 2026, ora 16:00, në adresën elektronike: sami.behrami@rks-gov.net.
Dokumenti është i qasshëm në faqen zyrtare të AMMK-së, ndërsa mund të konsultohet edhe në formë fizike në arkivat e komunave të Gjilanit dhe Ranillugut.
Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave natyrore të zonës “Guri i Hoxhës me Grykën e Lumit dhe Liqenin e Përlepnicës”.