Nën organizimin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Drejtoria Komunale e Arsimit mbajti punëtorinë për hartimin e draft-Rregullores Komunale për Shkollat, me pjesëmarrjen e drejtorëve të institucioneve arsimore, përfaqësuesve të Këshillit të Prindërve dhe Këshillit të Nxënësve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe akterëve të tjerë të arsimit.
Draft-rregullorja synon të përcaktojë parimet, rregullat dhe përgjegjësitë për organizimin dhe funksionimin e institucioneve publike të arsimit parauniversitar në Gjilan, si dhe të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet stafit arsimor, nxënësve dhe prindërve.
Përmes këtij dokumenti synohet qartësimi i të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive të të gjitha palëve të përfshira në procesin arsimor, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt, bashkëpunues dhe të orientuar drejt ngritjes së cilësisë në arsim.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit dhanë komente dhe sugjerime konkrete për përmbajtjen e draft-rregullores, duke kontribuar që ajo të pasqyrojë nevojat reale të shkollave dhe të qartësojë përgjegjësitë e përbashkëta në funksionimin e tyre.
Sipas agjendës së përcaktuar, komisioni i ngarkuar për hartimin e draft-rregullores do të vazhdojë takimet konsultative me mësimdhënësit, këshillat e prindërve dhe nxënësve, si dhe me palët e tjera të përfshira në procesin arsimor.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, angazhimin dhe sugjerimet e dhëna, si dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj punëtorie.