Nën udhëheqjen e kryetari të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, sot është mbajtur mbledhja urgjente e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për të adresuar situatën e sigurisë pas ngjarjeve të fundit tragjike.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, KKSB u njoftu nga afër me detajet e rasteve përmes drejtorit rajonal dhe komandantit të stacionit të policisë.
Kryetari Hyseni ka kërkuar zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë.
“Si institucione komunale kemi ofruar bashkëpunim të plotë e të pakursyer me organet e rendit, ndërsa secili përfaqësues institucional mori për obligim një angazhim të shtuar për të parandaluar ngjarje të tilla në komunën tone”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai tha se mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit.
Ndryshe, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Gjilan, i themeluar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, është mekanizëm multi-sektorial, qëllimi i të cilit është që të vlerësojë situatën e sigurisë, të parandalojë dukuritë negative, të koordinojë emergjencat, sikurse edhe të nxisë bashkëpunimin ndëretnik e ndërfetar.
KKSB ka në përbërje 24 anëtarë, ku përfshihen përfaqsues të Komunës së Gjilanit, Stacionit Policor, Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Kishës Protestante, përfaqësues të komunitetit serb, turk e rom, OJQ-ve e mediave dhe ka mandat katër vjeçar.