Siguria e nxënësve dhe parandalimi i dhunës në shkolla ishin në fokus të tryezës së diskutimit të mbajtur sot në Gjilan, ku Drejtoria Komunale e Arsimit, së bashku me përfaqësues të policisë, shkollave, prindërve dhe nxënësve, diskutuan për adresimin e sfidave të sigurisë në institucionet arsimore.
Tryeza u organizua nga Policia e Kosovës, në partneritet dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë diskutimeve u trajtuan parandalimi i dukurive negative në shkollat e mesme të larta, raportimi në kohë i rasteve dhe hartimi i rekomandimeve konkrete për adresimin e dhunës dhe shqetësimeve të tjera që ndikojnë në sigurinë e nxënësve.
Në takim morën pjesë edhe komandanti i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, drejtori i Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, Ramadan Ahmeti, kapitenia Nylgyn Kosova dhe togeri Fatos Latifi.
Drejtoria Komunale e Arsimit mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, Policisë së Kosovës, prindërve dhe komunitetit, me qëllim parandalimin e dukurive negative dhe krijimin e një mjedisi të sigurt e mbështetës për çdo nxënës.