Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizoi tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i dukurive negative, drogave, trafikimit me qeniet njerëzore dhe dukurive të tjera negative në mjediset shkollore”.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, së bashku me përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për krijimin e mjediseve më të sigurta shkollore.
Gjatë tryezës, me prezantimet e tyre kontribuuan zyrtarja e lartë për mbrojtjen e shëndetit në shkolla, Leonora Shala, dhe zyrtarja e lartë për barazi gjinore, Azize Sekiraqa-Heta, si dhe përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Departamentit për Shërbime Sociale dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Policisë së Kosovës dhe OJQ-së “Labirinti”.
Diskutimet u përqendruan në identifikimin e sfidave, parandalimin e përdorimit të drogave, trafikimit me qeniet njerëzore dhe dukurive të tjera negative, si dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve.
Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar që, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, të kontribuojë në krijimin e mjediseve shkollore të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për çdo nxënës.