Gjilan, 12 nëntor 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e jashtëzakonshme e cila është udhëhequr nga Krenare Latifi-Kqiku, në mënyrë unanime, me 27 vota për, ka miratuar pikën e vetme të rendit të ditës, transferin e mjeteve buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa, në shumën prej 497 mijë euro.
Gjatë arsyetimit para kuvendarëve, drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, tha se seanca është thirrë për të siguruar që punonjësit e Komunës t’i marrin pagat e nëntorit në afat, për të shtuar se në pesë nënprograme, mjetet e ndara për paga nuk mjaftojnë për t’i mbuluar pagesat e këtij muaji.
Në kuadër të kësaj, ai ka sqaruar nënprogramet përfituese, ku për Zyrën e Kuvendit janë 41.118, 97 euro, për zjarrfikësit dhe inspektimet – 22.104,95, planifikimi dhe zhvillimi ekonomik – 1.989,36, shërbimet kujdesit primar shëndetësor – 151.723,12 dhe për arsimin fillor – 281.035,70 euro.
“Për t’i mbuluar këto mungesa në kohë, kërkoj miratimin e transferit prej 497.972,10 eurosh brenda kategorisë “Paga dhe Shtesa”, nga mjetet që Komuna i ka në dispozicion në nënprograme të tjera”, ka thënë Kastrati.
Gjatë debatit para votimit, nga pozita, Shpend Nuhiu (LVV), i ka dhënë mbështetje kësaj nisme, ndërkaq, grupet opozitare, përkatësisht Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK) dhe Sami Ahmeti (LDK), kanë kërkuar garanci nëse prej këtij transferi Komuna ka siguruar mjetet e mjaftueshme për t’i siguruar pagat e punëtorëve.
Përndryshe, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së ish-drejtorit komunal, Bajram Isufi, i cili ndërroi jetë ditë më parë.
“Bajram Isufin do ta përkujtojmë gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndërshmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, fillimisht duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së dhe më pas angazhimet e shumta në institucione”, ka thënë kryesuesja Latifi-Kqiku.
Seanca e jashtëzakonshme është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livestream, në faqen zyrtare të Komunës në facebook.