Gjilan, 18 nëntor 2026 – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) në Gjilan, në mbledhjen e tretë të mbajtur për këtë vit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, kryesuese e Kuvendit, ka rekomanduar për Kuvend Planin operativ emergjent me anekset funksionale, të cilin e ka arsyetuar në pika të shkurtra drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani.
Shabani ka thënë se ky Plan operativ është dokument shumë i rëndësishëm, me dy anekse përcjellëse, i cili është punuar tash e dy vite, në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ.
KPF ka rekoamnduar për seancën e radhës edhe propozim vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese, plotësim ndryshimin e vendimit për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për vlerësimin e meritave historike, i cili erdhi me kërkesën e kryesueses Latifi-Kqiku.
Në këtë mbledhje, me propozim të Gentrit Murselit (LDK), është rekomanduar për Kuvend edhe kërkesa për një raport nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), sikurse që ka kaluar edhe kërkesa për plotësimin e një anëtari në KKSB nga shoqëria civile.
KPF ka rekomanduar për seancën e radhës edhe propozimin e Bujar Nevzatit (PDK), lidhur me kërkesën për ndarjen e mjeteve financiare për shujtat e punëtorëve të administratës së Komunës së Gjilanit.
Në këtë pikë, kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, të cilën e kanë mbështetur edhe dy anëtarët e VV-së në KPF, Shpend Nuhiu e Besnik Shala, ka thënë se kjo kërkesë është e drejtë, por është vështirë e realizueshme në një kohë të shpejt, pasi që ka implikime buxhetore në shumën prej mbi 300 mijë euro.
Përkitazi më këtë, ajo theksoi se paraprakisht do të duhej të bëhej një diskutim mes anëtarëve të KPF-së dhe drejtorit për Buxhet dhe Financa, për t’i parë të gjitha mundësitë buxhetore.
Ndërkaq, kërkesa e Nazim Gagicës (AAK), të cilën e mbështeti edhe Muhadin Haziri (LDK) për raportimin e ndërmarrjeve publike “Stacioni i Autobusëve”, “EkoHigjiena” dhe KRU “Hidromorava” mbi pasqyrat financiar nuk i është nënshtruar votimit, pasi anëtarët e pozitës, Shpend Nuhiu dhe Besnik Shala (VV), kanë deklaruar se sipas ligjit për ndërmarrjet publike, KRU “Hidromorava” i raporton nivelit qendror, dhe, sipas tyre, nuk obligohet që t’i raportojë Kuvendit të Komunës.
———————————-
Mbledhja e KPF-së është transmetuar drejtpërdrejtë në formatin livestream, në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook.