Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Gjilanit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe organizata Medika Gjakova kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbështetëse për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës seksuale.
Memorandumi parasheh që punonjësit shëndetësorë të forcojnë aftësitë profesionale për të njohur shenjat e stresit dhe traumës, për të parandaluar e trajtuar pasojat e tyre dhe për t’i orientuar gratë dhe vajzat drejt shërbimeve të specializuara sipas nevojave të tyre.
Përmes këtij bashkëpunimi, palët synojnë që shërbimet për menaxhimin e stresit dhe traumës të bëhen pjesë e rregullt e kujdesit shëndetësor. Memorandumi synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunave për të përhapur praktikat e mira në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.