Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj. Temë e takimit ka qenë shkalla e organizimit të programeve të përbashkëta mes MAPL-së dhe Komunës, sikurse edhe afirmimi i të drejtave të komuniteteve pakicë në Gjilan. Kryetari Haziri, pasi ka falënderuar zëvendësministrin Gecaj për vizitën, ka thënë se pushteti lokal në Kosovë duhet të riorganizohet totalisht.
“Rishikimi i mënyrës së funksionimit të pushtetit lokal është i domosdoshëm të bëhet, sepse qeverisja lokale në Kosovë ka qenë e organizuar mbi kompromise të dhimbshme”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, zëvendësminitri i MAPL-së, Bajram Gecaj, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore, derisa takimin e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm, duke thënë se Gjilani është shembull i mirë i integrimit dhe afirimimit të të drejtave të komuniteteve pakicë.
Po ashtu, zëvendësministri Gecaj e siguroi kryetarin Haziri që do të ndodhë vlerësimi i të gjitha problemeve dhe gjetjeve sa i pëker kufijve administrativ të komunave të Anamoravës.
Gecaj, në fund, ka falënderuar qytetarët e Anamoravës, për siç tha, kontributin e tyre të madh për Pavarësinë e Kosovës.
