Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiu, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “Gjuha e Shenjave për të Gjithë”, organizuar nga menaxherja e projektit, Havushe Jashari Islami.
Ky aktivitet bashkoi akterë të ndryshëm lokalë në kuadër të një projekti të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), përmes programit “EJA Kosovë” dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
Tryeza u shndërrua në një hapësirë reflektimi mbi aktivitetet e realizuara, me fokus të veçantë në shkollat e mesme të komunës, duke promovuar gjuhën e shenjave si një element kyç për gjithëpërfshirje dhe barazi në arsim.
Gjatë diskutimeve u prezantuan gjetjet nga hulumtimet me nxënës dhe pjesëmarrës të tjerë, si dhe u theksua domosdoshmëria për ndërmarrjen e hapave konkretë në avancimin e kësaj fushe.
Ndër rekomandimet kryesore që dolën nga takimi ishin: përfshirja e gjuhës së shenjave si lëndë zgjedhore në kurrikulën shkollore, ofrimi i trajnimeve të strukturuara për mësimdhënësit, zhvillimi i aktiviteteve të rregullta për vetëdijesim dhe përfshirje sociale, si dhe përfshirja aktive e personave të shurdhër në të gjitha fazat e projekteve të ngjashme.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, mbështet fuqishëm çdo nismë që synon krijimin e një mjedisi arsimor më gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë nxënësit.