Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, fton përfaqësuesit e të gjitha barnatoreve komunitare që operojnë në territorin e komunës në një takim të përbashkët për përcaktimin dhe organizimin e kujdestarisë gjatë orëve të natës dhe ditëve të fundjavës.
Takimi do të mbahet më 21 shtator 2026, në orën 10:00, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në katin e dytë.
Qëllimi i takimit është koordinimi ndërmjet barnatoreve dhe institucioneve komunale, në mënyrë që qytetarëve t’u sigurohet qasje në shërbime farmaceutike edhe jashtë orarit të rregullt të punës.
Gjatë takimit do të diskutohen mënyra e organizimit të kujdestarisë dhe çështje të tjera që lidhen me përmirësimin e shërbimeve farmaceutike për qytetarët.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e vlerëson të rëndësishme pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve të barnatoreve, për të përcaktuar së bashku një organizim funksional dhe të koordinuar të kujdestarisë, në interes të qytetarëve të Gjilanit.