Komuna e Gjilanit po vazhdon angazhimin për parandalimin e dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës, përmes fuqizimit të mekanizmave institucionalë, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët në nevojë.
Në kuadër të këtij angazhimi, është mbajtur një tryezë e përbashkët me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe shoqërisë civile, ku janë diskutuar sfidat aktuale dhe rëndësia e koordinimit ndërinstitucional në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se institucionet lokale po ndërmarrin masa konkrete për fuqizimin e Qendrës për Punë Sociale (QPS), me qëllim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe mbështetjes së duhur për qytetarët.
Në këtë drejtim, Komuna ka siguruar veturën e dytë për QPS-në, e cila do të mundësojë reagim më të shpejtë në terren, veçanërisht në rastet urgjente. Po ashtu, është hapur konkursi për angazhimin e stafit shtesë profesional, me qëllim përmirësimin e trajtimit dhe përcjelljes së rasteve.
Për rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve, ka nisur procesi i vendosjes së kamerave të sigurisë në objektin e QPS-së, ndërsa është arritur edhe marrëveshje me Policinë e Kosovës për forcimin e masave të sigurisë. Njëkohësisht, po punohet në funksionalizimin e një numri të veçantë kontakti ndërmjet zyrtarëve përgjegjës, për trajtimin më të shpejtë të rasteve emergjente.
Një tjetër masë e rëndësishme është edhe propozim-vendimi për mbështetjen financiare të familjeve strehuese, i cili parasheh kompensim mujor prej 200 eurosh për familjen strehuese, si dhe mbështetje shtesë prej 100 eurosh për një fëmijë, 200 eurosh për dy fëmijë dhe 300 eurosh për tre fëmijë. Për fëmijët me aftësi të kufizuara parashihen 200 euro mbështetje, si dhe 200 euro shtesë për familjen që kujdeset për ta.
Krahas këtyre masave, Komuna e Gjilanit do të vazhdojë organizimin e fushatave vetëdijesuese në bashkëpunim me institucionet arsimore, shëndetësore dhe organizatat e shoqërisë civile, me fokus parandalimin e dhunës dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Kryetari Hyseni ka ritheksuar se parandalimi i dhunës kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror, duke nënvizuar përkushtimin e Komunës për ndërtimin e një sistemi lokal më të sigurt, më funksional dhe më të përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve.