Komuna e Gjilanit pas komunikimit të hapur masiv me qytetarë përmes rrjeteve sociale, sot e ka shtuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe simbolikisht ka bërë promovimin e numrit për thirrje të qytetarëve pa pagesë, i cili është 0 800 11 555 dhe do të jetë i hapur çdo ditë pune brenda orarit nga ora 8:00 deri në ora 16:00. Kjo është bërë me nismën e Komunës së Gjilanit dhe kryetarit të saj Qemajl Mustafa me mbështetje nga Posta dhe Telekomi i Kosovës të cilët edhe e kanë bërë të mundur realizimin e një mundësie të mirë për komunikim të qytetarëve me Komunën e Gjilanit. Të gjitha thirrjet që bëhen në këtë numër janë pa pagesë nga ana e qytetarëve, ku ata mund t’i drejtohen komunës për kërkesa, informata, udhëzime, njoftime, kritika, lëvdata, etj.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, ka thënë se ky është edhe një hap tjetër në funksion të rritjes së transparencës me qytetarët (publikun) e që është imperativ i yni programor që nga ardhja jonë në qeverisje. Ky është një moment i promovimit ekskluziv të kësaj linje me qytetarët, jo vetëm të Komunës së Gjilanit por edhe më gjerë të cilët eventualisht mund të shohin ndonjë të metë në qeverisje, si në arsim shëndetësi, administratë, etj, apo edhe ndonjë mirënjohje nëse natyrisht ka hapësirë për te.
Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët që të thërrasin Komunën falas pa asnjë ngarkesë dhe t’i thonë argumentueshëm të metat apo edhe ngecjet, problemet që ndodhin në hapësirën e Komunës së Gjilanit apo edhe sugjerimet se si do të duhej të jetë një çështje, apo punë.
Mendoj se jemi Komuna e parë në nivel vendi që po e ofrojmë këtë për qytetarët. Që nga nesër, nga fillimi i orarit kjo linjë do të jetë e hapur, secila thirrje do të evidentohet, çoftë e identifikueshme apo anonime, të gjitha thirrjet do të regjistrohen në një formular të veçantë (emri, mbiemri, identiteti, problemi që ata paraqesin etj), të gjitha këto thirrje do të shqyrtohen dhe do të futet në funksion dhe do të merren hapa konkret në funksionimin edhe më të madh të zyrtarëve nëpër punët e tyre, ka thënë Mustafa.
Thirrjet për një kohë do të ruhen edhe në audio dhe hart-copy. E rëndësishme shumë është që qytetarëve po u ofrohet edhe një mundësi shtesë për të komunikuar me Komunën, tha ai.
Të gjitha thirrjet që bëhen nga qytetarët në këtë numër të telefonit, regjistrohen në audio, por edhe mbahet evidencë e telefonuesit, përshkrimit të bisedës. Nuk ka telefonues anonim, ngase sistemi mundëson që të gjitha thirrjet të identifikohen, por nëse për ndonjë arsye dikush nga telefonuesit kërkon që të jetë konfidentë, atëherë mbrojtjen e identitetit të tij e ruan institucioni i komunës për thirrjen telefonike që realizohet nga ana e tij, lidhur me ndonjë çështje të caktuar.