Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Preshevë, ku u prit në një takim të përzemërt nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, koordinimin institucional, realizimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të Gjilanit dhe Preshevës, si dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Me këtë rast, kryetari Hyseni e uroi kryetaren Sinani për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke i dëshiruar suksese në vazhdimin e angazhimit të saj në shërbim të qytetarëve të Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës.
Hyseni theksoi se Gjilani dhe Presheva janë dy komuna të lidhura jo vetëm nga afërsia gjeografike, por edhe nga historia, vlerat dhe synimet e përbashkëta, duke ritheksuar se Gjilani do të mbetet gjithmonë pranë Preshevës.
Në fund të takimit, kryetari Hyseni falënderoi kryetaren Sinani për mikpritjen dhe gatishmërinë për ta konkretizuar bashkëpunimin ndërmjet dy komunave përmes projekteve dhe iniciativave të përbashkëta në dobi të qytetarëve.