Në Përlepnicë, është vendosur gurthemeli i busteve të dëshmorëve Zija Shemsiu dhe Xhavit Ahmeti.
Në këtë ceremoni ishte edhe nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku dhe zyrtarë tjerë komunalë e bashkëpuntorë, miqë e familjarë të dëshmorëve.
“Sot, në këtë tokë të shenjtë të Përlepnicës, jemi mbledhur për një akt të thellë përkujtimi dhe nderimi: vendosjen e gurthemelit të bustit të dy prej bijve më të shquar të kësaj treve – dëshmorëve të kombit Zija Shemsiu dhe Xhavit Ahmeti”, tha Morina Bunjaku.
Ajo theksoi se: në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, më lejoni që t’ju përcjell mirënjohjen më të thellë për praninë tuaj dhe për mbështetjen ndaj çdo përpjekjeje që forcon kujtesën kolektive për ata që e bënë historinë tonë me gjak, përkushtim dhe heroizëm.
Nënkryetarja e Gjilanit, shtoi se Zija dhe Xhaviti nuk janë vetëm emra të lavdisë – ata janë udhërrëfyes për gjeneratat e sotme e të ardhshme. Ata nuk zgjodhën rrugë të lehta, por rrugën e drejtësisë dhe lirisë, në kohët më të vështira për popullin tonë. Ata i dhanë emrit të kombit kuptim dhe nder.
“Vendosja e këtij gurthemeli është një hap simbolik, por me peshë të jashtëzakonshme. Ai është dëshmi se Gjilani dhe Përlepnica nuk harrojnë. Se ne si institucione dhe si komunitet, qëndrojmë me përkushtim pranë vlerave për të cilat ranë më të mirët tanë.
Ky bust, kur të përfundohet, nuk do të jetë thjesht një monument në një hapësirë publike. Do të jetë një pikë ndalese për respekt, një mësim i heshtur për të rinjtë, një kujtim i përhershëm se liria që sot e gëzojmë ka një çmim – dhe ai çmim është jeta e njerëzve si Zija Shemsiu dhe Xhavit Ahmeti”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja tha: Lavdi përjetë jetës dhe veprës së tyre. Nderime të përjetshme familjeve që i rritën.
“Dhe një falënderim të veçantë të gjithë atyre që po bëjnë të mundur që kjo vepër të marrë formë”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja theksoi: Qoftë i bekuar ky gurthemel. Lavdi dëshmorëve të kombit.