Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar buxhetin për vitin 2027 në vlerë prej 43,586,882 euro, me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2026, ai shënon rritje prej 1,657,957 euro, apo 3.95 për qind.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, ka prezantuar para këshilltarëve komunalë ndarjen e mjeteve dhe investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm.
Për arsim janë planifikuar 21,248,447 euro, për shëndetësi 5,383,602 euro, ndërsa për investime kapitale 6,877,785 euro. Të hyrat vetanake të planifikuara për vitin 2027 arrijnë në 6,158,770 euro.
Në kuadër të investimeve kapitale janë paraparë:
- 500,000 euro për rrugët në zonën e parë dhe të dytë të qytetit;
- 399,000 euro për infrastrukturën rrugore në Fidanishtë 2;
- 300,000 euro për vendosjen e tabelave digjitale në shkolla;
- 280,000 euro për fazën e parë të varrezave të reja.
Buxheti është hartuar përmes dëgjimeve dhe konsultimeve publike, duke përfshirë kërkesat dhe prioritetet e qytetarëve në planifikimin buxhetor.
Në këtë seancë, Kuvendi Komunal ka shqyrtuar edhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitet 2028 dhe 2029.