Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), në takimin e fundit, ka miratuar raportin e Komisionit për dezinsketim, dezinfektim dhe derratizim (DDD), të hapësirës së qytetit si dhe shkollave e institucioneve arsimore. Jashar Jashari, kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), ka thënë se dezinsektimi i hapësirës së qytetit, si masë mbrojtëse nga mushkonjat dhe insektet tjera, sivjet është bërë me kohë. Projekti është realizua në tri faza. Ka filluar më 11 qershor, ndërsa është përfunduar më 31 korrik të këtij viti.
Dezinsektimi i hapësirës së qytetit është bërë nga kompania “Fauna”, në një sipërfaqe prej 1000 hektarësh, nën mbikëqyrjen e komisionit prej tre anëtarëve, ka thënë Jashari.
“Qytetarët e Gjilanit, falë këtij projekti, nuk kanë ndjerë bezdisje nga mushkonjat gjatë kësaj vere, sepse me kohë është bërë asgjësimi i të gjitha insekteve”, ka thënë Jashari.
Para anëtarëve të KSHMS, raportin e ka prezantuar Blerim Syla, kryetar i Komisionit, i cili në pika të shkurta ka folur mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit.
Edhe dezinfektimi është bërë me kohë në të gjitha shkollat e Gjilanit, ka thënë Syla.
Anëtarët e Komitetit për Shëndetësi e kanë mirëpritur raportin, duke sugjeruar që në të ardhmen, nëse paraqitet nevoja, dezinsektimi të bëhet në katër faza, dhe të përfshijë një hapësirë edhe më të gjerë se qyteti.
Njëherësh ky ishte edhe rekomandim i KSHMS.