Kryetari i Komunës së Gjilanit priti sot trajnerin e KV Drita, Lorik Idrizin, dhe volejbollistet e klubit, me rastin e triumfit në Superkupën e Kosovës, trofe ky që i bashkohet historisë së pasur të klubit si Superkupa e 5-të dhe trofeu i 29-të në historinë e tij.
Që nga viti 2014, KV Drita ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm në volejbollin kosovar, duke dëshmuar vazhdimisht rezultate të larta dhe profesionalizëm në garat vendore e ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit 2026, volejbollistet e Dritës kanë arritur të sigurojnë dy trofe të rëndësishëm, duke vazhduar traditën e sukseseve të klubit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përfaqësimin e radhës në Kupën Ballkanike, ku volejbollistet e Dritës do ta përfaqësojnë Gjilanin edhe në arenën ndërkombëtare.
Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të jetë përkrah sportistëve dhe klubeve të qytetit, duke mbështetur rrugëtimin e tyre drejt rezultateve të reja dhe trofeve të tjerë.
Në takim u diskutua edhe për ecurinë e punimeve në Sallën e Sporteve, e cila po shkon drejt përfundimit. Shumë shpejt, volejbollistet dhe sportistët e tjerë të qytetit do të kenë në dispozicion një hapësirë të re dhe moderne, me infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe vazhdimin e sukseseve.
Suksese në garat e radhës!